Ilustrim

Kuvendi mbanë nesër seancë të jashtëzakonshme, diskutohet për librat shkollorë

Nesër, pas më shumë se një muaji pushim, deputetët e Republikës së Kosovës do të mbajnë seancë të jashtëzakonshme plenare.

Kjo seancë është thirrur nga opozita, e në të pritet të diskutohet lidhur me librat shkollor.

“Ne, deputetët e opozitës – anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kemi iniciuar thirrjen e Seancës së Jashtëzakonshme të Kuvendit e cila do të mbahet të hënën, më 04 shtator” – ka njoftuar në Facebook deputetja e Partisë Demokratikë të Kosovës, Eliza Hoxha.

Në kërkesën që iu është dërguar kryesisë së Kuvendit, thuhet se çështja e kësaj seance është debat parlamentar lidhur me, siç është thënë, dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

“Derisa ligji në fuqi për arsimin parauniversitar ka përcaktuar se shkollimi fillor është i detyrueshëm dhe i njëjti ofrohet falas, Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për herë të parë ka dështuar të përmbush detyrimin ligjor për ofrimin e teksteve falas për nivelin e Arsimit Fillor dhe të Mesëm të Ulët” – thuhet në këtë kërkesë.

Kjo kërkesë është shpërndarë nga ana e deputetes Hoxha, e cila ka thënë se ky vit i ri shkollor, po fillon i shoqëruar me njërin prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie.

“Shkollat janë të papërgatitura, nxënësit nuk kanë tekste shkollore e materiale mësimore, ndërsa familjet e prindrit janë të braktisur. Mbi 200 mijë nxënësve nuk do t’iu ofrohen në shkolla tekstet falas, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç ka ndodhur për më shumë së një dekadë” – ka thënë ajo.

E njëjta ka shtuar se pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente.

“Në kushtet e paaftësisë dhe mosveprimit të qeverisë, Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe ti kthehet punës, e të diskutoj mbi përgjegjësinë e qeverisë për këtë dështim të pashembullt në përmbushjen e mandatit kushtetues e ligjor të saj” – ka thënë tuje deputetja.

Në anën tjetër, procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar subvencionimi, prindërit duhet të aplikojnë përmes platformës e- Kosova