Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi mban nesër seancë, në rend dite shqyrtimi i Projektligjit për buxhetin për vitin 2024

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet nesër në ora 10:00 për të mbajtur seancë plenare.

Në rend të ditës është shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Sipas njoftimit, kjo është e vetmja pikë e rendit të ditës për seancën e nesërme.

Më 16 nëntor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Ky buxhet është mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e këtij viti.

Në prezantimin e buxheti të vendit për vitin 2024 nga kryeministri Albin Kurti, para kabinetit të tij qeveritar, u tha se bruto produkti vendor (BPV) për herë të parë do të tejkalojë shifrën 10 miliardë euro në vitin 2024.

Po ashtu, Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka thënë se koeficienti i pagave do të jetë 110 euro.

Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024