Kuvendi i Shqipërisë thotë se cak i sulmit kibernetik ishte fshirja e të dhënave

Kuvendi i Shqipërisë tha të martën se një sulm kibernetik një ditë më parë synoi të futej në sistemin e të dhënave të tij dhe t’i fshijë ato, duke e ndërprerë përkohësisht punën e faqes së Kuvendit në internet.

Të dhënat nuk janë prekur nga sulmi kibernetik e të hënës, tha Kuvendi në një njoftim për media të martën.

Kuvendi theksoi se ekspertët janë duke punuar ende për të përcaktuar pasojat që ka sjellë ky sulm në sistemin e këtij institucioni, ndërsa konfirmoi se u sulmua nga hakerë jashtë vendit.

“Sipas ekspertëve, sulmi kibernetik ditën e djeshme ka synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave. Ju bëjmë me dije se nuk janë prekur të dhënat në sistem”, thuhet në njoftim.

Të hënën, nëpërmjet një postimi në “Telegram”, grupi i hakerëve “Homeland Justice” mori përgjegjësinë për sulmin kibernetik dhe tha se faqja e Kuvendit të Shqipërisë ishte në duart e tyre. Në mesazhin që shoqëronte këtë njoftim thuhej se “uzurpuesit e ulëseve në Kuvend do të paguajnë”.

Kuvendi tha se ekspertët e tij janë duke punuar për ta kthyer online faqen e këtij institucioni.

Një ditë më parë, në një tjetër njoftim, ky grup njoftoi se e kishte hakuar edhe një kompani të telefonisë mobile.

Më herët ky grup i sulmoi edhe faqet online të disa institucioneve, duke publikuar të dhëna të rëndësishme të disa prej tyre si: Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, sistemin TIMS që përmban të dhëna të hyrje-daljeve të të gjithë qytetarëve në Shqipëri. Gjithashtu, ka publikuar emaile të zyrtarëve të disa institucioneve.

Sulmet e para ndaj sistemeve qeveritare të Shqipërisë ndodhën më 15 korrik të këtij viti. Si pasojë e atij sulmi, institucionet u detyruan të pezullojnë regjistrimin e fëmijëve në kopshte dhe shkolla. Gjithashtu, u pezulluan edhe shërbimet për aplikimin dhe pajisjen me dokumente të identifikimit.

Më 7 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se sulmi ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, që kishte angazhuar katër grupe, mes të cilave dhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar. Për këtë arsye, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin duke dëbuar ambasadorin dhe gjithë stafin e Ambasadës iraniane në Tiranë.

Pas këtyre sulmeve, Shqipëria mori mbështetjen e NATO-s, të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.

Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Republikës Islamike për shkak të sulmeve ndaj Tiranës zyrtare.

Irani ka mohuar se qëndron pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve të Qeverisë shqiptare.

HomeLand Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022. Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet./REL