Kusari-Lila dhe Gjini kërkojnë ndihmën e Krypometrit të KALLXO.com

Gjatë Debat Pernime sonte për Gjakovën, Krypometri i KALLXO.com, ka qenë kryefjalë e polemikave të kandidatit të AAK-së për kryetar të Gjakovës Ardian Gjini dhe asaj të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Ata kanë kërkuar ndihmë nga Krypometri që të masë dhe të bëjë verifikimin e fakteve dhe deklaratave të dhënga nga njëri-tjetri, kur po diskutonin për projektin e lumit “Krena” në Gjakovë.

Kusari-Lila tha se është mirë që Krypometri t’ia masë deklarimet e kundërkandidatit të saj, Ardian Gjinit.

“Jeta, ju e keni një mekanizëm Kryepometrin, është mirë ta matni sonte z.Gjini kryetarin në largim, Projekti i lumit ‘Krena’ ka filluar në Qeverinë Thaçi 2, atëherë ka filluar ndërsa me marrjen e qeverisë së z. Haradinaj 16 milionë euro janë hequr prej Gjakovës”, tha ajo .

Kurse, Gjini u lut që të përdoret Krypometri për deklarimet e Kusari-Lilës dhe projekteve të tij.

“Ju lutem përdoreni atë Krypometrin, ju kisha lut përdoreni sepse nuk po mundem për çdo të dytën fjali me i thënë dikujt po ia fut kot. Kurrgjë hiç nuk ka ndodhur në lumin ‘Krena’ derisa kam ardhur unë. Disa mure të kota pa kanalizim janë ndërtuar”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës: Arbënesha Kuqi nga PDK; Ardian Gjini nga AAK; Fazli Hoxha nga Nisma Socialdemokrate; Ferdinand Kolaj nga PShDK; Mimoza Kusari Lila nga LVV dhe Teki Shala nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjakovës: Genta Domi Hoxha nga LDK; Lirianda Dahsyla nga PDK; Nita Efendia Brovina nga AAK; Saranda Alimusaj nga Nisma Socialdemokrate; Time Hasani nga LVV dhe Valerije Kola nga PShDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.