Kurti: Unë në opozitë kam votuar 374 nga 377 marrëveshjet ndërkombëtare, opozita tani asnjë nga 10

Pasi që opozita nuk po voton marrëveshjet ndërkombëtare më vlerë investimesh mbi 300 milionë euro, kryeministri Albin Kurti ka kujtuar se kur ai ka qenë në opozitë ka votuar 374 nga 377 të tilla.

“Kur kam qenë në opozitë për gati një dekadë, unë i kam votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare. Vetëm tri nuk i kam votuar, që i bie më pak se një për qind. Ndërkaq tash 10 marrëveshje, nuk e votojnë asnjërën dhe ato mjete ngelen të bllokuara, që është keq për qytetarët” – tha Kurti në një intervistë për ATV-në.

Kryeministri tha se janë 10 marrëveshje ndërkombëtare të bllokuara në Kuvend, të cilat tha se janë në vlerë 380 milionë euro.

“Deri vonë kanë qenë 360 milionë euro, tash janë 380 milionë euro, sepse është edhe kjo marrëveshja me Bankën Botërore për kredi 20 milionë euro për digjitalizim, pra 380 milionë euro, 10 marrëveshje ndërkombëtare janë të bllokuara dhe mospërgjigjet në pyetjet parlamentare nuk janë shkaku për pasoja” – tha Kurti kur u pyet nëse do të ndryshojë taktikën politike me mospërgjigje në pyetjet parlamentare deri në votimin e marrëveshjeve.

Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon dy të tretat e votave (80) të cilat, Qeveria Kurti po e ka të vështirë t’i mbledhë tash e sa muaj.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votimi është kushtëzuar me shpallje të zgjedhjeve të reja dhe shpërbërje të Kuvendit. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do mbështesë marrëveshjet, përveç njërës -Marrëveshja financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut.