Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Tani po e vërejmë se sa ka vuajtur vendi ynë për një qeverisje të mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vendi gjatë  këtij viti ka përjetuar rritjen më të madhe ekonomike si rezultat i qeverisjes së mirë.

“Mund të them se ekonomia e Kosovës, nuk ka parë rritje më të lartë se në vitin 2021. Do ta mbyllim këtë vit me një rritje ekonomike prej 10% dhe rritje të të hyrave rreth 33% si rezultat i një qeverisje të mirë dhe besimit të qytetarëve të vendit në Qeverinë tonë”, tha ai.

Duke përmendur ndarjet buxhetore nëpër sektorë të ndryshëm, Kurti tha se ‘tani po e vërejmë se sa ka vuajtur shteti ynë për një qeverisje të mirë’.

“Kemi gjetur një program të rimëkëmbjes ekonomike që ka ndihmuar ata që janë prekur më së paku nga pandemia, për herë të parë po e votojmë një  buxhet që është i yni dhe me qëllime parimore. Janë ndarë 873 milionë euro në subvencione dhe transfere. Kemi shtuar 35 milionë euro në pensionet dhe skemat sociale ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro. Për herë të parë kemi buxhetuar ndihmë për Luginën e Preshevës… Tani po e vërejmë se sa ka vuajtur shteti ynë për një qevrisje të mirë për qeverisje që nuk keqpërdor dhe abuzon, që synim parësor ka zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe ngritjen e mirëqenies sociale. Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, tha ai.

“Me këtë buxhet do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve. Kemi ndarë 20 milionë për skemën e garantuar për punësimin e të rinjëve. Për hërë të parë kemi ndarë 10 milionë euro për blerjen e ambasadave. 10 milionë euro për pajisje moderne për Policinë e Kosovës dhe FSK-në. Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor për herë të parë kem ndarë mbi 100 milionë euro”, ka shtuar tutje kryeministri Kurti.