Kurti takohet me pjesëtarët e Kompanisë së Helikopterëve të FSK-së

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn, janë takuar sot me pjesëtarët e Kompanisë së Helikopterëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë takim me kryeministrin ishin tre pilotët e Kompanisë së Helikopterëve të Gardës së FSK-së, toger Afrim Zabeli, Krenar Voca, Ardhe Hasani, të specializuarin për monitorim dhe orientim ajror, nëntoger Sunaj Sala, si dhe dy inxhinierët e helikopterit Behar Zariqi dhe Labinot Gashi.

Kryeministri Kurti i falënderoi ata për kontributin dhe rolin që kanë pasur deri tani dhe që do ta kenë edhe në të ardhmen në avancimin e Kompanisë së Helikopterëve të FSK-së.

Kurti citohet të ketë thënë  se si ushtri jemi në fillet e gjinisë së aviacionit dhe se avancimin e shohim të rëndësishëm edhe për nevoja ushtarake, por edhe për ato shtetërore. Shkollimi dhe pajisjet janë të rëndësishme, dhe do të investojmë si shtet në të dyja, shtoi ai.

Tre pilotët janë specializuar në Akademinë Ushtarake në Turqi, ashtu sikurse edhe dy inxhinierët e helikopterit, ndërsa nëntogeri Shala ka specializuar për monitorim, orientim, udhëzim e radar në Akademinë Ushtarake të Kroacisë “Dr.Franjo Tugjman”.