Kurti takohet me ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl.

Në këtë takim, ambasadori Grøndahl e uroi kryeministrin Kurti për detyrën e re dhe e përgëzoi për përbërjen e kabinetit të ri, posaçërisht për numrin e grave të emëruara.

Ambasadori në takim ka shprehur gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e re dhe për t’i thelluar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ndërsa, Kurti e falënderoi atë për vizitën dhe theksoi se qytetarët kanë nevojë për punësim e drejtësi, për demokraci e progres dhe se këto janë prioritetet e Qeverisë.

Të dy u pajtuan se Norvegjia si partner i Kosovës mund të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në fund të takimit, ambasadori ftoi kryeministrin Kurti për një vizitë zyrtare në institucionet e shtetit norvegjez dhe u dakorduan që ajo të realizohet në të ardhmen e afërt.