Kurti takohet me ambasadorët e QUINT-it, diskutojnë për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, për të diskutuar mbi aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sipas komunikatës për media, Kurti ka falënderuar ambasadorët dhe shtetet e QUINT-it për mbështetjen e tyre në këtë aplikim.

“Ai theksoi se përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës dhe procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë”- ka thënë Kurti sipas njoftimit.

Prezent në takim ishte edhe zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili ka njoftuar ambasadorët me zhvillimet e deritanishme në procesin e anëtarësimit dhe falënderoi ata për mbështetjen në krijimin e momentumit për kalimin e fazës së parë të procesit.

“Opinioni ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i dhënë nga Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, ka vulosur një herë e përgjithmonë të drejtën e Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë. Lobimi intensiv dhe i koordinuar me partnerët, ka siguruar mbështetjen e nevojshme për procedimin e mëtutjeshëm të aplikimit të Republikës së Kosovës, drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës”- bëhet e ditur në komunikatë.

Në takim, Kurti ka biseduar me ambasadorët për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë dhe gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.​

Kosova ka dërguar aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës, në maj të 2022-ës.

Ndërkaq, propozimi i BE-së, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”, që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përderisa takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër , ka konfirmuar një zyrtar i Bashkimit Evropian.