Kurti: Situata me pandeminë, vendi po shkon shpejt drejt krizës humanitare

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar një bashkëbisedim me bashkatdhetarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes aplikacionit Zoom.

Gjatë këtij bashkëbisedimi Kurti vuri theksin në rëndësinë e rolit të shqiptarëve në ShBA, gjendjen me pandeminë në Kosovë, politikën, ekonominë dhe zgjedhjet.

Lidhur me menaxhimin e pandemisë, Kurti tha se me këtë ritëm vendi do shkojë shpejt drejt një krize humanitare, duke theksuar edhe mungesën e mjeteve në spitale.

Kurti madje akuzoi Qeverinë që nuk po i heton rastet e kontaktit dhe shtoi se situata ka eskaluar që nga rrëzimi i Qeverisë së tij.

“Bashkëbisedimi me ju më jep gjithmonë pikëpamje të reja lidhur me probleme dhe zgjidhjet në të cilat mund të punojmë së bashku. Këto janë kohë interesante, ju e dini që kemi shumë probleme, situata me pandeminë është dramatike, brenda ditës kemi mbi 10 të vdekur dhe 50% e të testuarve dalin pozitivë. Kjo si shkak që Qeveria nuk po heton rastet e kontaktit. Spitaleve po u shkurtohen mjetet çdo ditë e më shumë dhe kjo situatë ka dalë nga kontrolli para dy muajve, kur u rrëzua Qeveria e cila kishte sjellë numrin e rasteve në zero,” u shpreh Kurti.

Kurti përveç situatës me pandeminë foli edhe për gjendjen ekonomike dhe sociale në të cilën gjendet shoqëria.

“Unë jetoj një mijë metra larg Qeverisë dhe kam pasur reduktime të rrymës, ekonomia është në rënie të madhe, varfëria është në rritje, nepotizmi dhe korrupsioni gjithashtu. Ne jemi në një krizë që do bëhet edhe më keq dhe kjo Qeveri nuk mund ta zgjidhë”, ka shtuar tutje Kurti.

Përkundër kësaj lideri i LVV-së tha se ka shpresë në mbështetjen dhe rolin e diasporës, e cila, sipas tij,  ka kontribuar shumë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kurti gjithashtu tha se njerëz si diaspora që nuk kanë lidhje me qeverinë korruptive mund të bëjnë ndryshim.

“Edhe me këtë situatë unë kam shpresë sepse njerëz si unë dhe ju nuk heqim kurrë dorë, me mbështetjen tuaj një qeveri e mirë është e mundur. Roli i diasporës në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është i madh sepse janë pikërisht prindërit tuaj që gjatë viteve të 90-ta kanë punuar për këto arritje. Diaspora kur vjen në Kosovë sheh që shume gjëra nuk janë mirë, prandaj neve na duhet veprim nga këta njerëz që nuk kanë lidhje me qeverinë korruptive për të bërë ndryshim”, u shpreh Kurti në bashkëbisedim me shqiptarët në Amerikë.

Për fund Kurti i këshilloi të gjthë bashkatdhetarët që kanë të drejtë vote të dalin në zgjedhjet e nëntorit në Amerikë sepse vetëm ashtu arrihen ndryshimet, duke mos qëndruar indiferent ndaj gjërave që është e nevojshme të reagojnë.