Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti: Shoqërimi i kryetarëve nga policia ka qenë vlerësim i organeve të sigurisë, jo vendim politik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hyrja e kryetarëve në ndërtesat e komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut, Mitrovicës së Veriut e Zveçanit nën shoqërimin e Policisë së Kosovës ka qenë vlerësim i organeve të sigurisë dhe jo vendim politik.

“Shoqërimi i kryetarëve të ri më forca të sigurisë është vlerësim i institucioneve të sigurisë të cilët vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra nuk është vendim politik, por unë si kryeministër e mbështes këtë, edhe atëherë edhe sot. Kanë vlerësuar drejtë, dhe në ditët në vijim u dëshmua që kanë vlerësuar drejtë” – tha Kurti para deputetëve.

Sipas Kurtit prezenca e policisë ka qenë e justifikuar pasi që është dashur të sigurohet hyrja e tyre e papenguar.

“Të shumta janë ata që praninë e forcave të policisë e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë, nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndërtesë sepse ajo ndërtesë është e Republikës së Kosovës, nuk hynë policia me forcë në ndërtesë të vet. Nuk hynë kryetari i komunës me forcë në ndërtesë, ajo është zyra e tij” – shtoi ai.

Kuvendi sot ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për situatën në veri të vendit, dhe raportet me SHBA-të.

Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Dje, Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.