Kurti shkon për ngushëllime te familja e policit të vrarë në Zveçan

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkuar në orët e mbrëmjes për ngushëllime tek familja e policit të vrarë në Banjska të Zveçanit, Afrim Bunjaku.

Kurti u deklarua para mediave duke thënë se dhembja është e madhe, por edhe krenaria është e jashtëzakonshme.

“Bashkë me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashanin dhe drejtorin e policisë dhe kolegë të ndjerit Afrim Bunjaku, sot erdhëm që të shprehim ngushëllime si Qeveri e Republikës së Kosovës. Pikëllimi është i thellë, dhembja është e madhe por edhe krenaria është e jashtëzakonshme për guximin dhe sakrificën e Afrimit. Në betejën e Kosovës për rend, ligj dhe kushtetutshmëri, për siguri dhe për paqe, për të drejta dhe për liri për të gjithë pa dallim, kundër kriminelëve dhe terrorizëve të mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht nga Serbia do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës”

“Lavdi Afrim Bunjakut dhe të gjithë ne zotohemi që rrugën që ai e ngriti me punën dhe angazhimin, ne do ta vazhdojmë pa kompromis” – ka thënë Kurti.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë futur brenda Manastirit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Raportimin e vazhdueshëm të KALLXO.com në lidhje me zhvillimet në veri mund t’i lexoni KËTU.