Kurti: Serbia po vazhdon fushatën për çnjohjen e Kosovës pavarësisht propozimit për tarifën

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Serbia po vazhdon fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve për shtetin e Kosovës, përkundër paralajmërimit të tij për heqjen e tarifës 100 për qind, fillimisht për lëndën e parë.

“Edhe pasi Kosova tregoi vullnetin e mirë duke larguar tarifën 100% për lëndët e para, Serbia po vazhdon me fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve. Ne nuk jemi pengesa në rrugën e dialogut dhe nuk kemi qenë kurrë. Ne bëmë një hap përpara, ata bënë edhe një hap prapa. Pse?”, ka shkruar kryeministri Kurti në rrjetin social ‘Twitter’, të martën.

Në mediat serbe ka qarkulluar lajmi se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Këtë informacion e ka dhënë për mediat serbe, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Mirëpo, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës thonë se s’kanë ndonjë informacion zyrtar për tërheqjen e njohjes.

Kryeministri Kurti në një konferencë për media, me 27 shkurt ka thënë se më 15 mars do të hiqet tarifa ndaj lëndës së parë të importuar nga Serbia e Bosnja, kurse nga 1 prilli do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditore, me mundësinë e rikthimit në rast se Serbia nuk ndryshon sjelljen ndaj Kosovës.

Ai ka thënë së nëse Serbia dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës, Qeveria e Kosovës do ta largojë tarifën 100% plotësisht më 1 prill 2020.

Albin Kurti: Nga data 15 mars hiqet tarifa për lëndën e parë nga Serbia