KOSTT përgënjeshtron zv.kryeministren serbe për rrymën e qytetarëve të veriut
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka reaguar ndaj deklaratave të zëvëndëskryeministres serbe se komunat veriore të Kosovës furnizohen me rrymë nga Serbia që nga viti 2020.
Sipas KOSTT, qytetarët në veri të Kosovës furnizohen nga ky operator dhe se bëhet vetëm nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
“Furnizimi i të gjithë qytetarëve të Kosovës në mënyrë të vazhdueshme është bërë si dhe do të bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, konform kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës. Deri më 14 dhjetor 2020 kur KOSTT ka funksionuar në kuadër të Bllokut SMM, Raportet ditore të nominimeve të energjisë elektrike nga palët tregtare dhe nga furnizuesit në KOSTT dhe të raportuara nga Blloku SMM (Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi), dëshmojnë se veriu i Kosovës nuk është furnizuar nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për KALLXO.com.
Tutje, në përgjigje thuhet se pas pavarësimit të KOSTT nga Blloku SMM dhe fillimit të operimit si zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut AK raportet e SwissGrid (Qendra Koordinuese e Zonës Sinkrone të Evropës Kontinentale në kuadër të ENTSO-E) dëshmojnë që Kosova furnizon të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike në vend përfshirë dhe veriun e vendit.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës furnizohen me energji elektrike vetëm nga furnizuesit e licencuar nga ZRrE derisa aktualisht humbjet nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar nga qytetarët në veri të vendit mbulohen nga KOSTT”, ka sqaruar KOSTT.
Tutje KOSTT ka thënë se për energjinë elektrike të shpenzuar dhe jo të paguar në veri të Kosovës nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 e deri më 24 nëntor 2021 janë shpenzuar 10 milionë euro të ndara nga Qeveria dhe 17.7 milionë të ndara nga buxheti i KOSTT për këtë qëllim sipas rekomandimit të aprovuar të aksionarit (Kuvendit të Republikës së Kosovës).
Zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Minierave dhe Energjisë Zorana Mihajloviq sot ka thënë se vendimi i operatorit të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë që të mos mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komuna të Kosovës, ku shumica janë serbë, është presioni më brutal ndaj popullatës serbe.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës ka ndërprerë mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës me 6 nëntor të këtij viti për shkak se ka skaduar marrëveshja me Qeverinë e Kosovës.
Marrëveshja kishte paraparë të lirojë Qeverinë e Kosovës nga pagesa e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës së katër komunave veriore.
Qeveria e Kosovës në bazë të marrëveshjes ka qenë e obliguar që brenda 6 muajve të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit konsumatorët e në katër komunat e veriut të Kosovës.
Qeveria, ndonëse ishte votuar një rekomandim i tillë në Parlamentin e Kosovës, nuk ka përmbushur këtë rekomandim.