Foto: Nga llogaria e Zorana Mihajloviç në Facebook

Komunat veriore të Kosovës furnizohen me rrymë nga Serbia që nga dhjetori i vitit 2020, thotë zv/kryeministrja e Serbisë

Vendimi i operatorit të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë që të mos mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komuna të Kosovës, ku shumica janë serbë, është presioni më brutal ndaj popullatës serbe, citohet të ketë thënë zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Minierave dhe Energjisë Zorana Mihajloviq.

“Kjo është një tjetër gënjeshtër në vargun e gënjeshtrave dhe konspiracionit të organizuar kundër popullit serb në Kosovë dhe Metohi. Borxhi prej 17 milionë eurosh që KOSTT ka raportuar deri në dhjetor 2020 është gënjeshtër, sepse nga dhjetori, furnizimi i veriut ka shkuar direkt nga Serbia”, ka thënë Mihajloviq.

Siç transmetojnë mediat në Serbi, ajo ka reaguar ndaj vendimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) që të mos mbulojë më shpenzimet e energjisë elektrike në katër komuna të Kosovës.

Sipas një komunikate nga zyra e saj, veprimi është presioni më brutal ndaj popullatës serbe të pjesës veriore.