Sveçla: Strukturat paralele të Serbisë i monitoronin vendvotimet të dielën

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të katër komunat në veri të vendit, persona të strukturave paralele të Serbisë kanë qëndruar rreth e qark qendrave të votimit.

Sipas Sveçlës, institucionet janë duke punuar në identifikimin e këtyre personave.

“Strukturat paralele të Serbisë, monitoronin vendvotimet tona, qoftë përmes kamerave elektronike po qoftë përmes individëve të cilët shëtisnin rreth e qark. Ish-zyrtarët policorë që kanë dhënë dorëheqje, që luajnë një kinse rol të kujdestarisë, një lloj inteligjence të heshtur që këto informata i raportojnë Serbisë, të gjitha këto kanë shkaktuar frikë”- ka thënë ai në RTK.

“Ne në vazhdimësi jemi duke punuar jo vetëm në identifikimin por edhe dëshmimin e veprimeve të tyre dhe do t’i dërgojmë në prokurori”- ka thënë ai.

Sipas Sveçlës, kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri janë legjitimë sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

“Këta janë prej momentin kur rezultatet certifikohen janë kryetarë legjitimë komunash dhe patjetër që do të shkojnë në vendin e tyre të punës, patjetër që do të kenë sukseset dhe dështimet si komunat e tjera. Nuk e di pse kjo është e diskutueshme. Forcat e sigurisë janë aty për të siguruar secilin qytetar, sa herë që kryetarët e komunave kanë pasë probleme Policia e Kosovës ka qenë aty”- ka thënë ai.

Sveçla tutje teksa ka folur për procesin e zgjedhjeve ka thënë se qytetarët në katër komunat në veri për vite të tëra kanë qenë subjekt i presioneve, shantazheve, dhunës sistematike, nga grupet ilegale, të strukturave paralele, të Beogradit drejtpërdrejt.

Sveçla ka thënë se presidenti i Serbisë kishte deklaruar se ka një listë më serbët të cilët do të arrestoheshin posa të kalojnë në Serbi.

“Vuçiq deklaroi që ekziston një listë e serbëve lokalë që do të arrestohen posa të kalojnë në Serbi. Ky është lajm i rëndë për qytetarë të zakonshëm. Ai i quan tradhtarë dhe shkelës të Kushtetutës së Serbisë”- ka deklaruar ai.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.

Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.