Foto: REL/AFP

Prokuroria po mbledh informacione për ardhjen e vaksinës anti-COVID në komunat e veriut

Prokuroria në Mitrovicë ende është duke mbledhur informacione në lidhje me ardhjen e vaksinave kundër COVID-19 në komunat serbe në veri të Kosovës.

E njëjta prokurori thotë se nuk kanë filluar ende hetimet pasi që duhet të kuptohet fillimisht se si kanë ardhur këto vaksina dhe se kush i ka sjellë ato.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, tha për KALLXO.com se në lidhje me këtë rast ndërlidhen dy vepra penale.

“Ne si prokurori kemi filluar grumbullimin e këtyre informatave rreth hyrjes së këtyre vaksinave. Prokurori kujdestar ka bërë kërkesë për grumbullim të informatave ndoshta do të pasojë pastaj edhe me ndonjë hetim. Ne nuk mund të fillojmë hetim pa marrë paraprakisht informata se nga kanë hyrë, kush janë personat që i kanë sjellë. Nëse nuk gaboj është në drejtim të veprës kontrabandim i medikamenteve dhe është një vepër tjetër që del ndoshta gjatë hetimit ndihma e paautorizuar mjekësore sepse ata duhet me pas një autorizim prej ne për me vepru”, tha Kryeprokurori Syla.

Ardhja e vaksinave kundër COVID-19 në komunat serbe, sipas Qeverisë së Kosovës, është bërë përmes rrugëve ilegale pasi që nuk ka të dhëna se këto vaksina kanë ardhur përmes rrugës zyrtare.

Ka qenë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili ka njoftuar se qytetarët e veriut të Mitrovicës do të vaksinohen kundër COVID-19.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është për personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq.

Fillimisht Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar për fillimin e vaksinimit për qytetarët serb në veri të Mitrovicës, ndërsa më vonë në një njoftim për media kanë treguar se nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.

“Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje,  as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse  të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të datës 26 dhjetor.

Në anën tjetër Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, edhe pse pritet që 20% e vaksinave të merren falas nga program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e varfëra.

Ndërsa, pjesën tjetër të vaksinave do të blihen nga Ministria e Shëndetësisë. Përdorimi i vaksinës kundër COVID-19 pritet të fillojë të përdoret në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, raporton edhe për rastet me COVID-19 nëpër komunat me shumicë serbe.