Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Kurti rreshtohet krah liderëve botërorë, bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është rreshtuar krahë shumë liderëve botërorë duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

Përmes rrjetit social “X”, ai ka konfirmuar se i bashkohet thirrjes së Zëvendës Presidentes së Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris dhe liderëve tjerë për lirimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare.

“Vdekjet dhe vuajtjet e civilëve në muajt pas sulmit terrorist të Hamasit janë një thirrje urgjente për veprim të shpejtë dhe vendimtar”- ka shkruar Kurti më 05.03.2024.

Një ditë më parë, Kamala Harris tha që Hamasi duhet të pranojë një marrëveshje që e ka në tryezë në të cilën përfshihet një armëpushim 6-javor.

Sipas saj, me këtë marrëveshje do mundësohej të shpëtoheshin pengjet dhe t’u ndihmohej atyre.

“Ajo që po shohim çdo ditë në Gaza është shkatërruese”- ka shkruar Harris në “X”.

Sipas përditësimeve të fundit mëngjesit të datës 05.03.2024 të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, numri i vdekjeve të palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite që nga 7 tetori është rritur në 30,631, me 72,043 të tjerë të plagosur, raportojnë mediat botërore.

Një javë më parë, presidenti amerikan Joe Biden tha se një marrëveshje armëpushimi në Gaza ishte e afërt dhe mund të hynte në fuqi sa më shpejt, qysh më 04.03.2024.

“Këshilltari im për sigurinë kombëtare më thotë se jemi afër,” u tha ai gazetarëve në New York.

Vrasja e më shumë se njëqind palestinezëve në një vend të shpërndarjes së ushqimit në Gaza, ku trupat izraelite hapën zjarr, duke shkaktuar panik teksa civilët po mblidheshin rreth kamionëve me ndihma ushqimore, ka shtuar urgjencën për bisedimet e armëpushimit – por gjithashtu mund t’i komplikojë ato, u tha gazetarëve Presidenti Joe Biden më 29.02.2024.

“Ne po e kontrollojmë këtë tani, ka dy versione konkurruese të asaj që ndodhi. Nuk kam ende një përgjigje”, i tha presidenti Arlette Saenz të CNN në Shtëpinë e Bardhë.

I pyetur nëse ishte i shqetësuar se vdekjet do të komplikonin negociatat, ai u përgjigj: “Oh, e di që do të ndodhë”.

Lufta në Gaza filloi më 07.10.2023.