Kurti pret në takim delegacionin belg, flasin për dakordimin për hapat për shtendosje të situatës në veri

Kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe deputetin, njëherësh udhëheqësin e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni, kanë pritur në takim një delegacion përfaqësues të Parlamentit Federal të Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga deputeti Theo Francken.

Sipas njoftimit të Qeverisë, temat që u diskutuan në këtë takim ishin prezenca e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s, bashkëpunimi bilateral ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Belgjikës dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

“Deputetët belg konfirmuan mbështetjen e Belgjikës ndaj Kosovës sidomos në proceset integruese në mekanizmat e BE-së dhe NATO-s”- thuhet në komunikatë.

Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka falënderuar delegacionin belg për vizitën dhe mbështetjen e tyre dhënë Kosovës dhe të shtetit belg që në vazhdimësi ka përkrahur vendin në të gjitha fazat e shtetndërtimin dhe zhvillimit.

“Ai i njoftoi ata me punën e institucioneve, arritjet e qeverisjes, përparimin demokratik, ekonomik dhe në sundim të ligjit, si dhe vëmendjen që qeveria i ka dhënë fushës së mbrojtjes dhe mekanizmave të sigurisë përmes ndarjeve buxhetore në dy vitet e fundit”- theksohet në njoftim.

Më tej, Zyra e Kryeministrit thotë se në takim gjithashtu u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në katër komunat në veri dhe për dakordimin e arritur në fillim të kësaj javë për hapat drejt depërshkallëzimit të plotë të situatës atje.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë marrë vesh për hapat për shtendosje të situatës në veri.

Në një përgjigje për KALLXO.com, BE thotë se ata janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Qeveria përmes një komunikate të martën ka treguar pikat për të cilat janë dakorduar.

BE dhe Qeveria konfirmojnë se Lajçak ka ftuar dy kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme.

Sipas BE-së, ky takim do të bëhet për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për rrugën e normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes pa vonesë të mëtejshme.

Kryeministri Kurti jep detaje se çka u dakordua mes Lajçakut e Besnik Bislimit në Bratisllavë