Albin Kurti

Kurti për shpenzimet e udhëtimeve nga deputetët: Kuvendi duhet ta ndryshojë rregulloren

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar rreth publikimit të të shpenzimeve të udhëtimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kurti ka thënë se shpenzime të tilla mund të jenë të trashëguara nga Kuvendet e kaluara por që duhet ndërmarrë veprime në ndryshimin e rregulloreve të kompensimit për deputetët.

“Unë kuptoj se shpenzimet e tilla dhe këto praktika mund të kenë jenë të trashëguara nga Kuvendet e kaluara, sidoqoftë këto pagesa duhet rregulluar dhe Kuvendi duhet të ndërmarrë veprime për të ndryshuar rregulloret e kompensimit për deputetët e Kuvendit”, tha Kurti.

Ai gjithashtu tha se e kupton indinjatën e qytetarëve por që është e pa drejtë piketimi i disa prej deputetëve pasi ky është një vendim i vitit 2011.

“E kuptoj plotësisht indinjatën e qytetarëve për këto shpenzime, por, në të njëjtën kohë konsideroj që është e padrejtë piketimi i ndonjë deputeti të veçantë ose deputeteje prej një vendimi që është i vitit 2011, pra më shumë se një dekadë kemi pasur shpenzime të këtilla,” tha ai duke shtuar se “Është detyrë e secilit në vend e sidomos e personave të zgjedhur si dhe shërbyesve civilë që të ruajnë kuletën e shtetit, ata duhet të jenë model për të gjithë qytetarët “.

Tutje, kryeministri tha se si ekzekutiv e kanë ruajtur kuletën e shtetit duke marrë vendimin e uljes së pagave për kabinetin qeveritar.