Kurti: Për sa kohë ka turmë të dhunshme jashtë ndërtesave, nuk mund të ketë pak policë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “CNN” ka thënë se në komunat në veri të Kosovës nuk mund të ketë numër të vogël të Policëve përderisa jashtë objekteve ka turmë të dhunshme.

“Për sa kohë që ka turmë të dhunshme jashtë ndërtesave, nuk mund të kem vetëm pak policë. Më duhet të kem polici që do të mbrojë shtetin ligjor, që do të mbajë rendin, qetësinë dhe sigurinë. Komunat duhet të jenë për të gjithë jo vetëm për strukturat paralele të Serbisë që janë shndërruar në banda kriminale, veçanërisht këtë vit” – ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se ka dëshmi se në mesin e turmës së protestuesve, ka ultranacionalistë të krahut të djathtë, që paguhen e urdhërohen nga Serbia.

“Nuk kemi të bëjmë me protestues paqësor, por me banda kriminele, ekstremistë, ultranacionalistë të krahut të djathtë, që po paguhen e urdhërohen nga Beogradi, e të cilët admirojnë Putinin. Është milici fashite, që sulmoi policët tanë, KFOR-in, e po ashtu gazetarët në terren. Nuk është e mundur të mos kesh kryetarë në komuna. Pushteti në Kosovë nuk fitohet me shok-bomba, krime, dhunë, por fitohet me zgjedhje”- shtoi Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se “ka dhjetëra xhirime e foto, që tregojnë se milicë serbë janë në vijën e parë të frontit të atyre që po protestojnë”.

“Disa vinë nga veriu e disa nga Serbia. Kosova është Republikë demokratike, Serbia është autokraci pro-ruse. Nuk ka shumë demokraci atje. Kanë urdhëruar xhandarmërinë atje të vijë e të bëjë trazira në veri të Kosovës”- ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me situatën e krijuar në veri.

Por, ai ka theksuar se nuk “nuk do ta dorëzoj Republikën demokratike te milicia fashiste”.

Kurti për CNN: S’do ta dorëzoj Republikën demokratike te milicia fashiste