Kurti për CNN: S’do ta dorëzoj Republikën demokratike te milicia fashiste

Kryeministri i Kosovës, në një intervistë për CNN, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me situatën e krijuar në veri.

Por, ai ka theksuar se nuk “nuk do ta dorëzoj Republikën demokratike te milicia fashite”.

“Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm e partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashiste”, tha Kurti.

Tutje, ai gjatë intervistës tha se në veri në mesin e protestuesve ka pasur ultranacionalistë që paguhen nga Serbia, “të cilët e admirojnë Putinin”.

“Disa vinë nga veriu e disa nga Serbia. Kosova është Republikë demokratike, Serbia është autokraci proruse. Nuk ka shumë demokraci atje. Kanë urdhëruar xhandarmërinë atje të vijë e të bëjë trazira në veri të Kosovës”, tha Kurti.

Kurti është shprehur se “Pushteti në Kosovë nuk fitohet me shok-bomba, krime, dhunë, por fitohet me zgjedhje”./Dukagjini.