Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

Kurti për raportin me Osmanin: Kemi bashkëpunim të ngushtë, por s'do të thotë që s’kemi edhe dallime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për raportin me presidenten, Vjosa Osmani, pas reagimeve që e para e Kosovës i ka bërë në lidhje me moskoordinimin rreth letrës që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz, e kishte dërguar në Këshillin e Europës, me zotimin se brenda muajit maj do të dërgohej për interpretim në Gjykatën Kushtetuese një draftstatut i “inspiruar” nga drafti i Friedrich Ebert Stiftung.

Kurti ka thënë se ka bashkëpunim të ngushtë më Osmanin, por kjo, siç ka deklaruar ai, nuk do të thotë që nuk kanë edhe dallime mes vete.

“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren e jashtme Gërvalla dhe presidenten Osmani, nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të pakalueshme apo që bëhen kundërthënie”- ka thënë Kurti më 04.06.2024.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur “qesharake” deklaratën e kryekuvendarit, Glauk Konjufca, për mosinformimin rreth letrës që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e kishte dërguar në Këshillin e Europës pa u konsultuar me presidenten e vendit.

Në një pronocim para gazetarëve, Konjufca e ka “shfajësuar” në një formë ministren e Jashtme, duke thënë se Osmani ato ditë kishte qenë jashtë vendit.

Më 16.05.2024, Presidenca e Kosovës kishte reaguar në lidhje me letrën që Qeveria ia ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta njoftuar rreth hapave për hartimin dhe draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Paraprakisht, të njëjtë ditë, ministrja Gërvalla- Schwarz në konferencën për media e pyetur nga gazetarët se a ka pasur dakordim në mes institucioneve për letrën e dërguar në KiE, ajo tha se “koordinimi në institucioneve është si rrallë  herë në një nivel të jashtëzakonshëm”.

Osmani e quan “qesharake” deklaratën e Konjufcës lidhur me moskoordinimin për letrën e dërguar në KiE