Albin Kurti dhe Mirosllav Lajçak – Takimi i datës 4 korrik 2023/Foto: ZKM

Kurti: Për keqardhje që Lajçak e ka pranuar kushtëzimin e Serbisë për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk e ka pranuar një kushtëzim nga pala serbe, që kërkon themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe më pas zbatimin e marrëveshjeve tjera.

Mirëpo, Kurti tha se një kushtëzim i tillë është pranuar nga emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak që siç u shpreh kryeministri, “ e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues”.

“Është për të ardhur keq që emisari europian Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe një kushtëzim nga Serbia që e ka pranuar emisari Lajçak e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësuar, por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë, duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam” – deklaroi ai.

“Për mua tash është e qartë se kushtëzimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të ndërmjetësit Lajçak” – tha Kurti mes tjerash.

Kryeministri tha se tashmë kanë në dorë dokumentin që paraqet kushtëzimin e Serbisë dhe se nuk ka qenë në dijeni se ekziston si i tillë.

Ai tha se është për të ardhur keq që pikërisht “kur jam konstruktiv dhe bëjë propozime shkaktohet një lloj nervoze një dhomë dhe vështirësohet dialogu”.

“Edhe këtë dokumentin tjetër që është më i vjetër se 6 muaj, që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë asociacionin, pastaj shohim, gjithashtu e kemi tani në dorë. E nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë. Nuk mund të quhet propozim, sepse kur ta lexoni përmbajtjen do ta kuptoni se është kushtëzim. Ndërkaq ne kemi bërë një propozim dhe është për të ardhur keq, se pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëjë propozime shkaktohet një lloj nervoze një dhomë dhe vështirësohet dialogu”- shpjegoi Kurti.

Kurti deklaroi se në takimin e sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian, ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit.

Ai tha se takimi nuk ka pasur rezultat pasi pala serbe nuk ka pasur ndonjë propozim por ka paraqitur një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që sipas Kurtit është kushtëzim i Serbisë që njëherë të zbatohet Asociacioni e më pas zbatimi i marrëveshjeve tjera.

 

Kurti: Asociacioni nuk mund të vendoset sikurse ‘qerrja para kuajve’