Foto: ZKM

Kurti për Asociacionin: Draftin e Lajçakut le ta dërgojnë në Komision të Venedikut, dokumentin tim unë e dërgoj në Gjykatë Kushtetuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 05.06.2024 teksa ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë se Serbia po kërkon të zbatohet Marrëveshja e vitit 2013, e cila, sipas tij, është shkelur nga Serbia 60 për qind.

Ai ka thënë se Kosova dërgon në Gjykatë Kushtetuese vetëm dokumente vendore.

Ndërsa ka sugjeruar se dokumentet ndërkombëtare si drafti i propozuar nga i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, të dërgohen në Këshill të Europës apo Komision të Venedikut.

“Pesë emisarët kanë sjellë një draft që është draft ndërkombëtar, nuk është vendor. Në Gjykatën Kushtetuese ne dërgojmë dokumente që janë vendore, një dokument që është ndërkombëtar le të shkojë të testohet në instancë ndërkombëtare. Draftin e Lajçakut lirisht le ta dërgojnë te juristët në Këshill të Europës dhe Komision të Venedikut. Dokumentin tim unë e çoj në Gjykatë Kushtetuese”- u shpreh ai në A2 CNN.

Kurti ka thënë se do të shkruante një draft nëse ai i përket Marrëveshjes bazike dhe aneksit të vitit 2023.

“Unë e shkruaj një draft, por duhet të jetë pjesë e paketës ku e kemi Marrëveshjen bazike, aneksit dhe unë nuk e mohoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kishte vendin e vet. Por nuk mundesh Asociacionin ta nxjerrësh nga paketa, ta hedhësh paketën dhe ketë Asociacion t’ia bësh një draft ndërkombëtar e të testosh në Gjykatën Kushtetuese”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se Asociacioni është i shprehur në dy marrëveshje në mesin e 39 marrëveshjeve që kanë bërë paraardhësit e tij në procesin e dialogut.

“Atje janë marrëveshjet, nuk e mohoj ekzistencën e tyre. Por Marrëveshja e vitit 2013 e nënshkruar mes Thaçit dhe Daçiqit, i ka 15 pika, 6 prej tyre janë për Zajednicën, njëra pikë thotë e nuk do ta pengoj Kosovën në BE. Marrëveshjen më të dashur që ka Serbia kërkon 6 nga 15 pika që ta respektojë dhe ta zbatojmë ne. 60% që e ka shkelur, nuk dëshiron të përmendet. Në 2022 Beogradi dha urdhër në veri për zyrtarët që të tërhiqen nga sistemi i Kosovës. Ata e kanë shkelur atë Marrëveshje. Nuk mund të kërkosh nga unë të zbatoj 40% e marrëveshjes kur vetë ke shkelur 60%”- u shpreh Kurti.