Kurti pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian: Serbia reagoi në mënyrë të dhunshme

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se e ka njoftuar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leye, për gjendjen në veri të vendit, pas vendimit për targa.

Kurti tha se Serbia ka reaguar në mënyrë të dhunshme.

“E njoftova presidenten me gjendjen në pikat kufitare, ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim, përveçse po e zbatojmë një vendim të vjetër, fatkeqësisht Serbia reagoi në mënyrë të dhunshme. Kam kërkuar që të dënohen sulmet, pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas deklaratave të presidentit të Serbisë”, tha Kurti.

Sipas tij, Kosova nuk ka synim tjetër pos antarësim në BE.

“Ndodhemi në një situatë ne të cilën në njërën anë merren fonde nga BE-ja, dhe Serbia do të duhej të demilitarizohej dhe jo të furzinohej nga Rusia dhe Kina. Ne nuk kemi fund përveç Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Kurti po ashtu tha se me presidenten e Komisionit Evropian po ashtu kanë biseduar për reformat në drejtësi, programin qeverisës, liberalizimin e vizave dhe çështje të tjera.

“Në kuadër të planit investiv kemi identifikuar 100 projekte që shtrihen në 13 sektorë të ndryshëm. Kemi biseduar për procesin e integrimit të Kosovës në BE, fakti që duhet të përgatitemi për aplikim për anëtarësim, si dhe për vendimin e vonuar për liberalizimin e vizave”, shtoi Kurti më tej në konferencë për media të përbashkët me presidenten Ursula von der Leye.