Kurti nuk u premton pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese plotësimin e kërkesave

Kryeministri Albin Kurti nuk u ka premtuar pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese plotësimin e kërkesave të tyre.

Kështu lë të kuptohet Qeveria në komunikatën e lëshuar pas takimit që ka zhvilluar kryeministi bashkë me ministrat Xhelal Sveçla e Hekuran Murati me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese.

Sipas njoftimit, Kurti dhe dy ministrat fillimisht i dëgjuan me vëmendje kërkesat dhe çështjet e ngritura nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, teksa i falënderuan për kontributin e tyre me punë profesionale dhe në shërbim të rendit dhe ligjit.

Ndërsa thuhet se gjatë takimit, Kurti i njoftoi ata se “kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë”.

Po ashtu, në njoftim është theksuar se Qeveria është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovë është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës në mënyrë që krahas lehtësimit në punë, të ndikojë drejtpërdrejt po ashtu në uljen e rrezikshmërisë gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive”- thuhet në njoftim.

Ndërsa tutje thuhet se ky përkushtim reflektohet edhe në projektbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024 në të cilin parashihet shtimi i investimeve kapitale në Policinë e Kosovës.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim kanë marrë pjesë edhe me ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

Takimi ështv mbajtur sot rreth orës 16:20. Ky takim zhvilluar pasi ditë më parë pjesëtarët e kësaj Njësie kishin protestuar para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar kushte më të mira për punë, pagë dhe shtesa më të larta.

Ata kishin paralajmëruar një protestë tjetër, e cila ishte pezulluar pak orë para se të niste, pasi që kryeministri kishte njoftuar se do t’i priste në takim zyrtar.

Përfundon takimi mes kryeministrit Kurti dhe pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese