Foto: Albin Kurti / Facebook

Kurti: Nuk më keni dëgjuar duke dhënë data për liberalizim të vizave sepse nuk varet prej neve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk mund të flas me data se kur do të ndodh liberalizmi i vizave ndonëse sipas tij Kosova ka kohë që i ka plotësuar kriteret për lëvizjen e lirë.

Sipas Kurtit, çështja e liberalizimit të vizave nuk varet nga Kosova.

“Ne moti kemi plotësuar kriteret për liberalizmin e vizave, 95 sosh, që është dyfishi i shteteve të tjera të rajonit, në muajin e ardhshëm bëhen 4 vjet prej kur Komisioni Evropian për herë të dytë ka rekomanduar liberalizmin e vizave për Kosovën por ja që nuk ka ndodhur. Nuk mund të flas në emër të tyre, nuk mund të flas me data se kur do të liberalizohen vizat, në këtë samit a në atë konferencë sepse nuk është çështje e jona”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Ai tutje shtoi se organizatat ndërkombëtare kanë dëshmuar se Kosova nuk e ka imazhin e para dy viteve dhe shpreson se kjo do të reflektojë në vendimin e BE.

“Ne po bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi detyrat e shtëpisë. Shpresojmë në më të mirën por nuk mund të flasim në emër të tyre”, ka thënë ai.

“As para zgjedhjeve, as në fushatë zgjedhore as si kryeministër nuk me keni dëgjuar duke dhënë data për liberalizim të vizave sepse nuk varet prej neve. Ne moti i kemi plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave”, ka përsëritur ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se Kosova është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me autoritetet e Francës, për t’i adresuar shqetësimet e këtij shteti dhe se kjo mund të ketë pasur, po ashtu, ndikim pozitiv.

Një prej elementeve të rëndësishme, thonë burimet në BE, është edhe mbështetja publike që liberalizimit të vizave për Kosovën i ka dhënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Kosovë, javën e kaluar.

Kjo çështje mund të përmendet edhe në samitin e BE-së, që zhvillon punimet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, edhe pse vendimi nuk merret në këtë nivel të lartë, por nga Këshilli i BE-së.