Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti nuk komenton “Kornizën e re” të dialogut, e cilëson dokument pa autor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë “Kornizën e re” të dialogut, duke thënë se nuk komenton dokumente pa autor.

“Qarkullojnë dokumente të ndryshme por unë besoj që nuk është as e dobishme as e drejtë që t’i komentoj dokumentet që nuk kanë autor por bëhen për ta matur pulsin e qytetarëve e politikanëve. Nuk është mirë të bëjmë komente kur nuk dihet autori” – tha Kurti.

Kryeministri tha se vetëm dokumentet që prodhohen në Bruksel duhet të komentohen dhe janë zyrtare.

Sipas Kurtit, Republika e Kosovës, është vendi më demokratik e më i pavarur i Ballkanit Perendimor.

“Ne jemi shtet sovra, shtet i pavarur, jemi më të pavarur se Serbia sepse Serbia ka varësi nga Rusia. E luftojmë më së shumti krimin e korrupsionin kemi më së paku krim e korrupsion krahasuar me gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe duke e pas sjelljen sovrane të qeverisë tonë natyrisht që ne e konfirmojmë që shteti i Kosovës është në rregull. Ajo çfarë unë e pranoj është që raport dhe raportet me Serbinë nuk i kemi normale” – u shpreh Kurti.

Gjatë fundjavës u publikua një dokument që thuhej se ishte “Korniza e re” e propozuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas këtij dokumenti, njohja reciproke nuk është më pjesë e marrëveshjes finale, por që ndër tjera Kosovës i garantohen njohjet e pesë vendeve të BE-së.

Vuçiq: Perëndimi po propozon ‘kornizë të re’ për dialogun Kosovë-Serbi