Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti: Nuk është racionale të insistohet kundër Kosovës me masa

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka qenë parimore dhe jo kokëfortë në menaxhim të situatës në vend duke shtuar se Bashkimi Evropian “është mirë që këtë ta pranoj, vlerësoj e mirëkuptoj këtë sa më parë”.

Kurti në një intervistë për televizionin lokal të Tetovës, “TV Koha” ka thënë se nuk e di se kur do të tërhiqen masat dhe se sipas tij, duhet të hiqen “sa më parë”.

“Nuk e di se kur do të tërhiqen masat, besoj se duhet të hiqen sa më parë sepse Kosova është konstruktive, qeveria e Kosovës ka qenë kreative me ide dhe të përkushtuar në dialog, i cili ka rezultuar me marrëveshjen bazike. Me 27 shkurt ne në Bruksel e kemi realizuar marrëveshjen bazike, që është njohje reciproke de facto. Në marrëveshjen e Ohrit të 18 mars ia bashkëngjitëm edhe një aneks implementimi me 12 pika, por është Beogradi që e ka shkelur këtë. Ne kemi thënë le ta zbatojmë në plotni dhe pa kushte dhe sa më shpejtë”- ka deklaruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se kundërshtimet për marrëveshjet nuk vinë nga Kosova, duke shtuar se edhe depërshkallëzimi në veri tashmë në masë të konsiderueshme ka ndodhur. Krahas kësaj shtoi se kanë shprehur edhe gatishmëri për zgjedhje të parakohshme në komunat veriore.

“Nuk është e logjikshme, as racionale të insistohet kundër Kosovës me masa nga më të ndryshme, prej atyre financiare deri te vizitat e nivelit të lartë. Do duhej të tejkaloheshin, të hiqeshin dhe letra e mbi 50 parlamentarëve perëndimorë është hapi i duhur në drejtimin e duhur që të përmirësohet qasja ndaj Kosovës dhe të ashpërsohet ndaj Serbisë agresore që nuk distancohet as nga Millosheviqi, as nga Putini”

“Unë kam qenë konstruktiv natyrisht kemi shprehur gatishmërinë për të pasur mirëkuptim mirëpo nuk e kemi bërë në kurriz të vlerave evropiane në njërën anë e as të Kushtetutshmërisë së Kosovës. Kemi qenë parimor, jo kokëfortë dhe besoj që Bashkimi Evropian bënë mirë që këtë ta pranoj, vlerësoj e mirëkuptoj sa më parë” – ka thënë Kurti.

Që nga 28 qershori, Bashkimi Europian ka aplikuar sanksionet ndaj Kosovës në lidhje me “situatën e krijuar në veri dhe vendimin e autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët europianë për uljen e tensioneve”.

Tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Por, Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

Megjithatë, BE-ja ka thënë se kryeministri kosovar nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri.