Kurti: Nuk do duhej shteti të shantazhohet nga dikush që është më i zhurmshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media pas takimit me kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj tha se shteti nuk do të duhej të shantazhohet nga dikush që është më i zhurmshëm.

Sipas tij, në Kosovë janë mbi 100 mijë qytetarë që e kanë pagën më të ulët se paga minimale.

“Flasin për disa paga, mirëpo në anën tjetër heshtnin të gjithë kur i thosha që i kemi më shumë se 100 mijë qytetarë, qe e kanë pagën më të ultë se paga minimale që e kemi kaluar në lexim të parë. A e dini sa pastruesi në Kosovë është me 100 euro e 150 euro. Nuk do duhej shteti të shantazhohet nga dikush që është më i zhurmshmi. Edhe jo për kushte të punës, as për rezultate të performancës, por për para”- tha Kurti.

Kurti më tej shtoi se në rregullimin sindikal, greva është instrumenti i fundit dhe se vetëm pas tentimeve të pasuksesshme kreu i këshillit grevist e thërret grevën.

“Sindikata e ka përdor grevën si instrumentin e parë. Të kërkosh përmbushje të plotë të kërkesës është e pa logjikshme. Në ditët e javët në vijim do ta marrim vesh çka është në pyetje”- shtoi më tej Kurti.

Kryeministri tha se do të vazhdojë në një takim urgjent dhe u largua nga konferenca pas fjalimit të tij.

Takimi mes sindikalistëve dhe kryeministrit Albin Kurti ka përfunduar pa marrëveshje.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha para gazetarëve të martën se greva do të vazhdojë. Sipas tij, lajmi i mirë është se edhe dialogu do të vazhdojë.

Ai tha se ishin të gatshëm të diskutojnë për shumën e 100 eurove, por Qeveria nuk pranoi që të ofrojë më shumë se 50 euro shumën ndihmë për mësimdhënësit, ashtu siç paraparë në pakon e ekzekutivit për tu përballur me inflacionin.

Jasharaj: S’ka marrëveshje, greva vazhdon