Kurti në Prekaz: Lufta çlirimtare nuk mund të paramendohet pa Jasharët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti në Ditën e Çlirimit të vendit kanë vazhduar me homazhe edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Shefja e shtetit, Vjosa Osmani, u shpreh se në Prekaz u vulos liria me sakrificën dhe trimërinë e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari.

“Jemi këtu në Prekaz këtu në ditën kur të gjithë ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që ranë për liri, por mbi të gjitha këtu në Prekaz ku u vulos liria jonë me sakrificën dhe trimërinë e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari. Duam të tregojmë edhe njëherë se e kaluara jonë asnjëherë nuk mund të harrohet, përkundrazi ajo gjithnjë na shërbejnë si një fanar ndriçues në çdo hap që e bëjmë përpara drejtë forcimit të shtetit, lirisë sonë dhe demokracisë të ndërtuar me aq shumë mund dhe aq shumë sakrifica”, tha ajo.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti deklaroi se lufta çlirimtare nuk mund të kujtohet e as të paramendohet nga askush pa Jasharajt.

“Tre breza luftuan tri ditë në atë që sot e dimë të gjithë ne dhe jo vetëm ne si epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare andaj sot u themi të gjithë qytetarëve të Republikës, shqiptarëve mbarë, urime 12 Qershori, Dita e Çlirimit  edhe e Paqes, e cila i ka rrënjët pikërisht këtu te sakrifica dhe flijimi i familjes së gjerë Jasharaj, me ç’rast nga 59 veta gjithsej, gjysma ishin fëmijë e gra krahë për krahë me komandantin, kryekomandantin Adem Jashari, bacën Shaban, Hamzën dhe të gjithë të tjerët aty”, tha ai.

Delegacioni shtetërori vazhdoi për nderime tek Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të NATO-s

Krerët shtetërore kanë filluar me homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Sot nga ora 12:00 të mbahet një performancë e Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Togut Ceremonial të FSK-së – nga Sheshi “Skënderbeu” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, si dhe manifestimi qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, nën përkujdesjen e Presidencës së Kosovës.

Kosova sot feston 23-vjetorin e çlirimit. Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh  kundër pozicioneve të ushtrisë serbe trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës. Aleanca e atlantikut te veriut i dha fund luftës gati dyvjeçare midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe.