Osmani për Adem Demaçin: Tregoi se liria e Kosovës ishte më e e rëndësishme se ajo individuale

Me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, krerët e shtetit – Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë nisur shënimin e ditës së Paqes në 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Pas disa minutash ky delegacion ka vazhduar për te varri i veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se veprimtari Demaçi është mishërimi më i mirë i sakrificës që është bërë me dekada të tëra, dhe se sipas saj, ai ka treguar se liria e Kosovës ishte më e rëndësishme se ajo individuale.

“Për paqen që sot e gëzojmë janë sakrifikuar, mijëra e mijëra burra e gra të Republikës tonë. Siç e dini 3000 dëshmorë kanë rënë në vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, 13 mijë civil janë vrarë dhe ende i kemi edhe shumë qytetarë të zhdukur me dhunë. Veprimtari Adem Demaçi është mishërimi më i mirë i kësaj sakrifice që është bërë për dekada të tëra, jemi këtu për të nderuar këtë sakrificë të tij, këtë vetëmohim të tij dhe shembullin që e dha duke treguar se liria e Kosovës ishte shumë më e rëndësishme se liria individuale”, u shpreh presidentja Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për veprimtarin Adem Demaçi tha se ka qenë ndërgjegjja e popullit e se ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e pavarësinë e vendit.

“Rezistenca dhe qëndresa e shqiptareve në gjysmën e dytë të shekullit 20, pas përfundimit të luftës së dytë botërore nuk mund të paramendohet pa Bacën Adem. Shqiptarët ishin të burgosurit politik kryesor në ish jugosllavi dhe në numër më së shumti dhe në kohëzgjatje të kohës së dënimit. Përafërsisht 666 shekuj burg, i kanë mbajtur shqiptarët në Jugosllavinë e dytë. Aty Baca Adem me 28 vitet e tij në burg ka shërbyer për popullin si ndërgjegjja e këtij vendi edhe jashtë këtij vend”, tha Kurti.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.

Ai është quajtur “Nelson Mandela” e Europës.

Demaçi ka vdekur në moshën 82 vjeçare, më 26 korrik 2018.