Kurti: Nuk mund ta paramendojmë humanitetin e qetësinë në politikë pa presidentin Ibrahim Rugova

Me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, krerët e shtetit – Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë nisur shënimin e ditës së Paqes në 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Pas disa minutash ky delegacion ka vazhduar për te varri i veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçi.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se Ibrahim Rugova e bëri të qartë vullnetin politik të Kosovës para botës duke ndërtuar ura miqësie, për të cilat tha se edhe sot i shërbejnë vendit.

“Ditë e cila simbolizon shumëçka për të gjithë qytetarët, gjithë popullin e Kosovës që për dekada të tëra ishte i shtypur nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Më 12 qershor, të gjitha forcat serbe u larguan nga Kosova pas krimeve të llahtarshme që kishin kryer ndaj popullatës civile në Kosovë, dhe hynë forcat e NATO-s, Ushtria Çlirimtare dhe u rikthyen edhe civilët të cilët ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre”, tha ajo.

“Ne shprehim falënderimin dhe përkuljen tonë para kontributit të të gjithë qytetarëve të Kosovës në mënyrë që ne ta gëzojmë lirinë e mbi të gjitha shprehim falënderimin dhe përkushtimin tonë për të ecur përpara në rrugën e atyre që e trasuan rrugën tonë përpara për liri dhe pavarësi. Prandaj filluam duke nderuar arkitektin e pavarësisë, presidentin historik dr. Ibrahim Rugova, i cili mbi të gjitha e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës edhe para gjithë botës duke ndërtuar ura miqësie të cilat edhe sot e kësaj dite i shërbejnë Republikës së Kosovës për të ecur përpara”, shtoi presidentja.

Kryeministri Albin Kurti tha se nuk mund ta “paramendojmë humanitetin, durimin, qetësinë në politikë pa presidentin Ibrahim Rugova”.

“Kosovë, lirinë e popullit dhe në të njëjtën kohë kujtojmë ata të cilët kontribuuan, punuan, u flijuan që ne të jemi edhe të gjallë edhe të lirë edhe me mundësi për përparim. Nuk mund ta paramendojmë humanitetin, durimin, qetësinë në politikë pa presidentin Ibrahim Rugova, i cili para se të bëhej president për herë të parë këtu e 30 vjet më parë ishte intelektual i angazhuar, racionalist, i cili me insistimin e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare e të Kosovës në veçanti në kohën e okupimit të egër të Serbisë që kulmoi me gjenocidin kundër popullit tonë”, u shpreh ai.

Ai siguroi se si institucione do të insistojnë dhe të angazhohen për “drejtësi për të gjitha viktimat dhe dëmet që janë bërë”.

Më 17 shkurt 2020, 14 vjet pas vdekjes së tij, Albin Kurti bëri për herë të parë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Ndërkaq, te varri i veprimtarit Adem Demaçi, ata e quajtën Demaçin shembull dhe mishërimi më i mirë i gjithës sakrifices që është bërë për dekada të tëra.

Delegacioni shtetëror vazhdoi rrugën për homazhe në Prekaz, Skenderaj.