23 vjet nga çlirimi i Kosovës

23 vjet më parë, më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.

Kjo ngjarje nga krerët e shtetit do të shënohet me aktivitete në kryeqytet dhe në komuna të tjera, duke filluar me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi, komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, nderim te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.

Po ashtu do të mbahet një performancë e Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Togut Ceremonial të FSK-së – nga Sheshi “Skënderbeu” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, si dhe manifestimi qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Kosovës.

Kjo ditë njihet edhe si Dita e Paqes.

Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.