Kurti mirëpret miratimin e rregullores së Kuvendit, e quan ‘sfidë politike’ votimin e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur miratimin e rregullores së Kuvendit të Kosovës.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se miratimi i Rregullores vjen pas një përpjekje të gjatë të Kuvendit të Kosovës për të rishikuar rregullat e funksionimit të institucionit më të lartë.

“Miratimi gjithmonë ka qenë një sfidë politike për Kuvendin, për shkak se për miratimin e saj kërkohej një shumicë e kualifikuar e së paku 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kjo kërkonte një koncensus të gjerë të spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas Kurtit, rregullorja e re adreson sfidat kryesore, të cilat e kanë përcjellë punën e Kuvendit që nga viti 2010, dhe ngërthen në vete praktika të reja dhe standarde të larta të demokracisë parlamentare.

“Të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që niveli i punës së Kuvendit dhe i llogaridhënies në Kuvend të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve, ndaj qytetarëve të Republikës e interesit publik”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Në seancën e 28 korrikut me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim deputetët miratuan rregulloren e re të Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës organizon punën e tij me Rregulloren e miratuar me 29 prill të vitit 2010. Ky dokument përcakton organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të organeve, të trupave të punës së tij, të drejtat dhe detyrat e deputetëve.

Pas më shumë se një dekade miratohet Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës