Pas më shumë se një dekade miratohet Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës

Rregullorja e re e Punës së Kuvendit të Kosovës është miratuar sot pas më shumë se një dekade, që nga koha kur ishte miratuar rregullorja e kaluar e këtij institucioni.

Më 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët gjatë seancës së sotme e kanë miratuar Rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës e ka organizuar punën e tij me Rregulloren e miratuar më 29 prill të vitit 2010.

Në seancën e sotme, Kryetari i Komisionit për Legjislacion, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, ka prezantuar Rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës.

Rrustemi tha se pas shqyrtimit të parë janë munduar t’i adresojnë të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet dhe tani sipas tij amendamentet i kanë sjellë për shqyrtim e miratim.

“Gjatë punës jemi përpjekë t’i harmonizojmë qëndrimet politike. Nuk mëtojmë që është draft ideal, por është drafti më i mirë i mundshëm marrë parasysh gjithë faktorët që e përcjellin këtë proces”, tha Rrustemi.

Rrustemi tha se rregullorja përcakton edhe çështjen e betimit të deputetëve.

Rrustemi tregoi se kjo rregullore mundëson që me akt të veçantë të nxjerr nga Kryesia e Kuvendit, të përcakton kushtet dhe mënyrat e administrimit të pjesëmarrjes dhe të kompensimit të pjesëmarrjes së deputetit në mbledhje të grupit punues, komisionit apo seancës plenare.

“Zgjerohet koha për deklarimet e deputetëve nga 30 në 40 minuta, duke u dhënë më shumë kohë deputetëve dhe grupeve parlamentare të shprehin qëndrimet e tyre ndaj zhvillimeve politike dhe të adresojnë shqetësimet e qytetarëve”, tha Rrustemi.

Rregullorja e re e Kuvendit ndonëse pas shumë diskutimeve, mori mbështetjen e partive opozitare.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se rregullorja e re duhet ta trajtohet si një akt i përhershëm të Kuvendit.

“Si PDK jo vetëm që kemi marrë pjesë por kontributi jonë ka qenë domethënës prandaj konsideroj që rregulloren e re duhet ta trajtojmë si një akt të përhershëm të Kuvendit, pavarësisht të pozicioneve tona pozitë, opozitë”, ka thënë Deliu.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se LDK i japim mbështetje rregullores në tërësi.

“Kam përshtypjen që tash së fundmi ka një konsensus të gjerë të partive politike që ti japim epilog të merituar një dokumenti i cili flet dhe rregullon punët e kuvendit të Kosovës. Si LDK I japim mbështetje amandamenteve dhe rregullores në tërësi”, ka thënë Selmanaj.

Deputeti Besnik Tahiri në emër të AAK-së ka thënë se kjo rregullore është arritje e demokratizimit të këtij parlamenti.

“Kjo rregullore është arritje e demokratizimit të këtij parlamenti por njëkohësisht edhe të mandatit që na ka dhënë populli. Ne kemi nisur punën në maj të vitit 2021, kemi punuar si koleg bashkë. Kjo rregullore tash e 10 vjet nuk është miratuar se opozita se ka votua. Tash, tri parti opozitare kemi vendosur të mos e mbajmë peng një rregullore që rregullon punën tonë”, ka thënë ai.

Rregulloren e re të Kuvendit mund ta gjeni të plotë KETU.

Kuvendi i Kosovës organizon punën e tij me Rregulloren e miratuar me 29 prill të vitit 2010.

Ky dokument përcakton organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të organeve, të trupave të punës së tij, të drejtat dhe detyrat e deputetëve.

Çka përcakton rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës që pret miratimin e deputetëve