Kurti: Minatorët ishin avokatët e popullit të Kosovës

 

31 vjet më parë minatorët e Trepçës për tetë ditë me radhë ishin mbyllur në zgafellat e kësaj miniere si shenjë revolte kundër sistemit të atëhershëm, duke lëkundur kështu themelet e ish-Jugosllavisë. Kryeministri i vendit Albin Kurti i ka quajtur minatorët grevistë të atëhershëm si avokat të cilët mbronin popullin dhe Kosovën.

“Minatorët e Trepçës vërtetë ishin minatorë me profesion, por të gjithë ishin avokatë me pasion, minatorë sepse duhej të ushqenin familjen e të pasuronin shoqërinë, ndërsa avokat sepse duhej ta mbronin popullin dhe Kosovën. Ata ishin klasë punëtore por dinin për padrejtësitë më shumë se udhëheqësit e kohës, jo pse ishin me të edukuar por sepse nuk ishin të nënshtruar”, tha Kurti.

Ai këto deklarata i bëri me rastin e 31 vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës.

Sipas Kurtit greva e minatorëve u bë motori i lëvizjeve për rezistencë. Gjithashtu Kurti ka shtuar se tani ka një qeveri e cila do të kujdeset për pasuritë publike njashtu edhe për Trepçën.

“31 vjet me vonë shumë gjera kanë ndryshuar në botë por shumë pak këtu në Trepçë, këtu koha ecën ngadalë me zor. Punishtet kanë mbetur ashtu siç ishin pa investime e pa mirëmbajtje e duhur, mirëpo tani kemi një qeveri e cila do të kujdeset për pasuritë publike. Trepça është një thesar publik të cilin duam ta rivitalizojmë”, theksoi Kurti.

Ndërsa kryetarja e kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se do të angazhohen me gjithë potencialin për rimëkëmbjen e Trepçës, duke premtuar edhe kushte më të mira për minatorët.

“Qyteti i minatorëve dhe kjo trevë e Shalës së Bajgorës është sinonim i trimërisë dhe bujarisë shqiptare. Me këto cilësi nuk kishin se si të vepronin ndryshe përveç se me këmbëngulësi të vepronin për interesin kombëtar. Do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë për rimëkëmbjen e Trepçës, për krijimin e kushteve me të mira të punëtorëve dhe të minatorëve, të angazhohemi për modernizimin e minierës dhe përqendrimi ynë nuk do të duhej të ishte vetëm tek eksporti i xeheve por edhe tek përpunimi i tyre”, tha Osmani.

Kurse Basri Ibrahimi, drejtor i Trepçës, ka potencuar se me djersën dhe vetëmohimin e minatorëve shqiptarët shkruan historinë e shtetit të Kosovës.

“Përveç me djersë u shkrua edhe me sakrifica të shumta dhe nga padrejtësitë që i përcollën minatorët e Trepçës ndër vite e dekada e veçanërisht në vitin 1989 kur me djersë e vetëmohimin e minatorëve, shqiptarët po shkruanin historinë e Kosovës”, tha Ibrahimi.