Kurti më 2019: Do të synojmë uljen e çmimit të rrymës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2019 kishte deklaruar se do të synojnë uljen e çmimit të rrymës për qytetarët.

Këtë deklaratë e kishte bërë para se të merrte besimin për formimin e Qeverisë Kurti 1 pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit 2019.

Dy vite më vonë, Kosova sikurse edhe vendet e rajonit dhe Evropës po përballet me krizë energjetike. Gjendja me furnizim u rëndua edhe më shumë, kur një bllok i termocentralit “Kosova B” u nxor nga prodhimi.

Për shkak të situatës është kërkuar rritja e çmimit të rrymës në vend për 7 për qind, porse një gjë e tillë mund të vendoset vetëm pas shqyrtimeve nga e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Ditëve të fundit, Kurti nuk ka përmendur se do të ketë ulje të çmimit të rrymës, por është shprehur se do të mundohen të shmangin rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike.

Më 26 shtator 2019 në #DebatPernime Kurti kishte thënë se nuk mund ta specifikonte se sa do të ulej çmimi i rrymës.

“Unë nuk mund ta them sot se sa do të ulet energjia elektrike por e di që Contour Global-i nuk vjen në shprehje më, ajo do të na e shtrenjtonte energjinë elektrike dhe ne nuk paguajmë me buxhetin e Kosovës për ata që s’e paguajnë energjinë elektrike, qofshin në veri ose gjetiu. Nuk mund ta kuantifikoj sot, por ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike sepse tepër shtrenjtë, kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi, shumë kemi kapacitet”, pati thënë ai.

Kurse, më 13 dhjetor të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti tha se Kosova po blen shtrenjë e po e shet lirë rrymën.

“Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme përderisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 centë për kilovat në orë. Është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë e po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar”, tha ai.

“Konsumi është tejet i madh edhe për shkak të stinës së dimrit, edhe për shkak se mënyra jonë edhe e punës edhe e banimit, edhe jetesës është e organizuar rreth ngrohjes përmes termoelektranave, por qe besa edhe për shkak se energjia elektrike është lirë dhe konsumi është i kollajshëm”, ka shtuar Kurti.

Sipas Kurtit, një dekadë më parë ishte më lehtë të shtoheshin kapacitetet e energjisë, “por ja që ishte më me leverdi të vidhej nga KEK-u sesa të investohej”.

“Shtetin e kemi gjetur përtokë në të gjitha drejtimet, por do ta ngrisim në këmbë”, ka shtuar ai.

Dy ditë më vonë, për shkak të situatës me termocentralin “Kosova B”, kreu i ekzekutivit kosovar tha se do të ndajnë mjete financiare për mbulimin e importeve të rrymës.

“Andaj duke ndjekur edhe shembullin e shteteve evropiane, Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve. Do të bëjmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike. Unë zotohem për siguri të furnizimit, me tranzicion të qëndrueshëm e me çmime të përballueshme”, tha Kurti me 15 dhjetor në një konferencë për media bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kosova po përballet me krizë energjetike si pasojë e rritjes globale të çmimeve të importit dhe rritjes së kërkesës për konsum. Përveç kësaj, të martën situata është rënduar edhe më shumë pasi një bllok i termocentralit “Kosova B”, u nxor nga prodhimi.

Një ditë më pas, ndërmarrja publike për furnizimin me ngrohje “Termokos” në Prishtinë ndërpreu furnizimin me ngrohje për konsumatorët, për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Kurse, KEK të enjtën ka njoftuar se pas sanimit të rrjedhjes në kaldajë, njësia B1 e termocentralit “Kosova B” është lëshuar në punë.

Korporata tutje ka bërë të ditur se “Termokosi” ka filluar të furnizohet me energji termike (avullin) nga “Kosova B” për ngrohje qendrore të Prishtinës.

Ndërkohë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 7%.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë në Emisionin “Kallxo Përnime” se në fund të gjitha vendimet në lidhje me çmimet i merr Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

“Ne kemi kërku rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 7% për të gjithë shfrytëzuesit, ne nuk kemi kërkuar kthim të bllok tarifës”, ka thënë Buzhala.

Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit për Energji ka hapur procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, pas kërkesave që janë parashtruar nga KEDS dhe Furnizuesi për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO).

Tarifat e energjisë elektrike pritet të rriten të paktën 5%.

ZRrE në bazë të mandatit të saj ligjor ka theksuar se do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.

Në fund të tetorit të këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte marrë vendim që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas vendimit të ZRrE-së, çmimet e energjisë ishin paraparë të jenë ato të vitit të kaluar deri në prill të vitit 2022.

Tash e sa javë, vendet e Evropës janë përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.

Kjo ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Përveç Kosovës,  edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po përballen me krizë energjetike.