ZRrE hap procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave: Do të ketë rritje të çmimit të rrymës për të pakten 5%

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka hapur procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, pas kërkesave që janë parashtruar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesi për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO).

Këto të fundit kanë kërkuar shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, për të reflektuar çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.

Tarifat e energjisë elektrike pritet të rriten të paktën 5%.

ZRrE në bazë të mandatit të saj ligjor do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.

Sipas ZRrE-së, muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë, e cila rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit.

“Duke qenë se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet nevoja për import, që do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRrE gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor. Importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilat nuk janë parashikuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin relevant tarifor 2021”, theksohet në njoftimin e ZRrE-së.

ZRrE njofton se në kuadër të këtij procesi do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do të analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit.

Paralelisht do të analizohet edhe mundësia e rishikimit të strukturës së tarifave me pakicë të energjisë elektrike, ku sipas ZRrE-së do të shihet mundësia e aplikimit të mekanizmave tjerë për përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe të menaxhimit të kërkesës.

“ZRrE do të sigurohet që shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave të i nënshtrohet konsultimit me konsumatorët, kompanitë e licencuara, qeverinë dhe palët e tjera të interesit për të siguruar gjithpërfshirje, transparencë dhe mbrojtje të interesave të konsumatorëve”, theksohet në njoftim.

Në fund të tetorit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte marrë vendim që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas vendimit të ZRrE-së, çmimet e energjisë ishin paraparë të jenë ato të vitit të kaluar deri në prill të vitit 2022.

Partitë opozitare në Kosovë, në seancën e sotme të Kuvendit, kanë ngritur shqetësim për mungesën e energjisë elektrike, me të cilën kanë nisur të përballen qytetarët dhe ekonomia në përgjithësi.

Kosova, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hyrë në një krizë energjetike dhe për këtë ai ka kërkuar nga qeveria një strategji, si do t’i qaset këtij problemi.

“Si do ta kalojmë këtë dimër, sa i vështirë do të jetë për qytetarët për vendin për ekonominë dhe çfarë strategjie do të ndjekim në të ardhmen?”, pyeti Haradinaj.

Ndërprerjet e energjisë ditëve të fundit në Kosovë janë evidente. Reduktimet e herëpashershme paralajmërohen edhe përmes njoftimeve zyrtare nga Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Pamundësia për të përmbushur kërkesat për energji elektrike i ka theksuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ajo ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes, termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ në Obiliq kanë arritur të prodhojnë 759 megavatë, derisa kërkesa për energji ka qenë 1,113 megavatë.

“Treqindepesëdhjetekatër megavatë jemi duke i prodhuar më pak sesa që është kërkesa”, tha Rizvanolli.

Korporata Energjetike e Kosovës, sipas ministres Rizvanolli, është duke bërë përpjekje maksimale që të fusë në operim edhe bllokun e tretë të termocentralit ‘Kosova A’, që sipas saj, do të ndihmonte me 120 megavatë të tjera.

“Për të përmbushur kërkesat me energji elektrike në sezonin e dimrit, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është duke u marrë me prioritet të licencimit të kapaciteteve të impiantit të erës të ndërtuar në fshatin Selac, që do të shtojë edhe 60 megavatë”, tha Rizvanolli.

Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.

Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor si në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Të dy nga këto shtete kanë shpallur krizë energjetike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kriza energjetike, ashtu si në shtetet tjera, po troket edhe në Kosovë. Këtë çështje, Kurti tha se e kanë adresuar edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Krahasuar me vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut, Serbia e Shqipëria, rryma në Kosovë është më e lirë për 3 deri në 4 centë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.