Albin Kurti

Kurti: Komunat me shumicë serbe marrin buxhet më shumë se tjerat, zhvillimi i atyre në veri u penguan nga Qeveria e Serbisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se komunat me shumicë serbe në Kosovë marrin buxhet për kokë banori më shumë se 28 komunat tjera, 27 prej tyre që janë më shumicë shqiptare.

Përmes rrjetit Twitter, Kurti thekson se kështu tregojnë të dhënat e Ministrisë së Financave për 14 vitet e fundit.

“Dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë kanë marrë mesatarisht 62% më shumë buxhet (në tërësi) për kokë banori, si dhe 89% më shumë në shpenzime kapitale për kokë banori se 28 komunat e tjera, 27 prej të cilave janë me shumicë shqiptare. Këtë e tregojnë të dhënat e Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave të Kosovë nga 14 vitet e fundit (’08-’22)- ka shkruar Kurti.

Sipas tij, kur është fjala për shfrytëzimin e buxhetit, 6 komunat relativisht të integruara me shumicë serbe në jug të Kosovës kanë performuar vazhdimisht më mirë se 4 tjerat në veri.

Kurti thekson se politikanët në komunat në jug kanë qenë më të gatshëm për sigurim të kushteve e infrastrukturës sesa ato në veri të vendit.

“Politikanët serbë dhe udhëheqësit komunalë në 6 komunat jugore ishin të gatshëm dhe në gjendje të planifikonin, siguronin dhe zbatonin më shumë infrastrukturë arsimore, shëndetësore dhe transporti për qytetarët e tyre sesa 4 komunat në veri”- shtoi më tej Kurti.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë llogari nga Qeveria e Serbisë për privimin e katër komunave në veri që të kenë zhvillim të duhur.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë llogari nga Qeveria e Serbisë për privimin e këtyre 4 komunave veriore për zhvillim të duhur. Detyrimi  ndaj qytetarëve vendas nëpërmjet një grushti kriminelësh, të udhëhequr nga paratë, narkotikët dhe trafikantët e armëve në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, duhet të dënohet publikisht”- ka shkruar kryeministri Kurti.

BE-ja vitin e kaluar u ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë propozimin, që njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Së fundmi, SHBA-ja dhe BE-ja kanë intensifikuar angazhimin e tyre që të shtyjnë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve, ku kërkohet edhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e nënshkruar në Bruksel.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, proces që ka mbështetjen e SHBA-së – që nga viti 2011.