Foto: ZKM/28.12.2021

Kurti jep detaje për Planin e ri Strategjik të Arsimit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të seminarit shkencor të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ka paraqitur disa nga pikat e Planit të ri Strategjik për Arsim në Kosovë, i cili ende nuk është bërë publik.

Kurti paraqiti disa nga pikat që kanë të bëjnë më digjitalizimin e arsimit, të cilin e vlerësoi si një komponentë kryesor për reformë në këtë sektor.

“Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit të shkollave dhe në kuadër të Planit Strategjik të Arsimit kemi përcaktuar këto drejtime kryesore të digjitalizimit: Krijimin edhe funksionalizimin e një platformë digjitale gjithëpërfshirëse e të centralizuar, prodhimin dhe përgatitjen e materialeve mësimore digjitale shumë dimensionale cilësore për nivele klasë, lëndë e lloje të ndryshme”, tha Kurti.

“Furnizimin e institucioneve arsimore me rrjete të internetit cilësor dhe me pajisje teknologjike të nevojshme, kultivimin e kompetencës digjitale te të gjitha palët e përfshira dhe tek institucionet arsimore e të gjitha niveleve dhe krijimin e mekanizmave institucional që mundësojnë realizimin e digjitalizimit dhe përdorimin e teknologjisë”, shtoi më tej Kurti.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, harton një plan strategjik gjithëpërfshirës për zhvillimin e arsimit në Republikën e Kosovës.

Plani Strategjik i fundit është i vitit 2017 deri në këtë vit 2021. Ministria e Arsimit tash e disa muaj është duke punuar në përpilimin e Planit të ri Strategjik për Arsim.

Planet e para gjithëpërfshirëse strategjike për arsim të hartuara në Kosovë ishin Strategjia e Arsimit të Lartë 2005-2015 dhe Strategjia e Arsimit Parauniversitar 2007-2017.

Në vitin 2009, kur Kosova ka miratuar Qasjen Mbarësektoriale në arsim, ishte vendosur që të ketë një plan gjithëpërfshirës dhe të veçantë për tërë sektorin e arsimit, gjë e cila çoi në zhvillimin e Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë (PSAK) 2011- 2016.