Kurti: I pakuptimtë mosveprimi i Prokurorisë së Shtetit për trazirat në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar punën e institucioneve të drejtësisë për të vënë para drejtësisë ata që kanë destabilizuar situatën në veri të vendit.

Sipas Kurtit, është e pakuptimtë sesi nuk ka asnjë veprim të mekanizmave të drejtësisë.

“Nuk e kuptoj prokurorinë tonë të shtetit, nuk e kuptoj,  sesi është e mundur që përkundër qindra fotografive, e video-xhirimeve, të shkeljeve të ligjit, e krimeve denoncimeve me emër e mbiemër, nuk ka veprime të prokurorisë, është përsëritje e situatës së dhjetorit të kaluar, ku për 3 javë ditë 16 barrikada në veri asnjë aktakuzë”- tha Kurti në një konferencë për media sot pas orës 11:00 në objektin e Qeverisë.

Sipas Kurtit personat prapa protestave të dhunshme janë persona të njohur për institucionet e drejtësisë, sepse sipas tij ata kanë qenë në burg edhe më herët.

“Tash serish për 26 edhe 29 maj nuk shohim veprime të prokurorisë, andaj për mua mbetet e pakuptimtë sesi është mundshme të ketë një lloj pasiviteti të prokurorisë së shtetit përkundër krimeve e shkeljeve të kryera atje. Dhe një numër i konsiderueshëm i këtyre që kanë bërë krime kanë qenë në burg edhe më herët Nuk bëhet fjalë për njerëz që nuk njihen, bëhet fjalë për njerëz që njihen nga sistemi I drejtësisë, edhe publikisht edhe zyrtarisht”- tha ai.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Situata e sigurisë arriti kulimin e tensionimit të hënën më 29 maj kur protestuesit u përplasen me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Rreth 30 paqeruajtës u lënduan, ndërsa tre u plagosën nga arma e zjarrit, konfirmoi zyra për medie e këtij misioni.

Nga mediat që kanë mbuluar këto protesta janë shpërndarë fotografi e video ku shihen sulmuesit duke ushtruar dhunë në drejtim të pjesëtarëve të KFOR.

Vet, kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës ka bërë publike një listë emrash që sipas tij kanë organizuar trazirat në veri.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Pas tensioneve në veri, SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23.