Kurti: I informova senatorët për sulmin e Banjskës, është koha që Serbia të ndalet

Pas takimit me senatorët amerikanë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në takimin që ka pasur me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, ka informuar ata për ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ai tha se siguria e Kosovës ishte tema kryesore e bisedës dhe u ka prezantuar senatorëve informatat.

“Përfshirja e Serbisë ka ndodhur në 3 shtresa, presidencë, intelegjencë dhe ministri e mbrojtjes. Sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksim për veriun e Kosovës. Ne nuk mund të kthejmë Afrim Bunjakun familjarëve, por duhet të bëjmë krejt çka mundemi për të parandaluar sulmet e ardhshme” – deklaroi Kurti.

Duke folur para gazetarëve, Kurti tha se ai është kryeministër i të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve, prandaj sipas tij, përpjekjet për destabilizim duhet të ndërprehen dhe se është koha që Serbia të ndalet.

Ndërsa senatorja Jeanne Shaheen tha se është e rëndësishme që përgjegjësit të japin llogari para ligjit dhe se Serbia duhet të bashkëpunojë në hetimet.

“Është koha e duhur që stabiliteti afatgjatë i këtij rajoni dhe i Kosovës, nënkupton një marrëveshje për t’i adresuar shqetësimet që ekzistojmë. Nuk duam që të ketë më shumë konflikt siç po e shohim në Ukrainë, prandaj stabiliteti është i rëndësishëm. SHBA-të do të qëndrojnë pranë jush” – tha Shaheen.

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch janë duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë. Ata janë takuar edhe me presidenten e vendit Vjosa Osmani.

Osmani pas takimit me senatorët amerikanë: Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për Afrim Bunjakun