Osmani pas takimit me senatorët amerikanë: Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për Afrim Bunjakun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me dy senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, ka thënë se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për policin e vrarë me 24 shtator në veri, Afrim Bunjakun.

Përmes një deklarimi para gazetarëve, Osmani tha se çdo vizitë e zyrtarëve është dritare e re e hapur për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Senatorët dua t’i falënderojë në emër të të gjithë qytetarëve, për angazhimin për të ndihmuar vendin tonë për më shumë stabilitet afatgjatë” – tha Osmani.

Ajo bëri të ditur se takimi me senatorët është përqendruar në aktin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se i ka informuar ata për rrjedhën e ngjarjeve dhe për provat e mbledhura deri më tash.

“Serbia duke shërbyer si satelit i Rusisë ka për qëllim destabilizimin e gjithë Ballkanit Perëndimor. Gjëja më e rëndësishme në këtë moment është të parandalohen akte të tilla, që Serbia të mbahet përgjegjëse dhe t’i dorëzojë terroristët në vendin tonë” – tha presidentja Osmani.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për heroin Afrim Bunjaku, si dhe për aktin e agresionit që Serbia kreu mbi shtetin tonë” – tha mes tjerash presidentja.

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch janë duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë. Përveç presidenten Osmani, ata do ta takojnë edhe kryeministrin Albin Kurti.

Dy senatorë amerikanë sot takojnë presidenten Osmani e kryeministrin Kurti