Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti- Hisen Berishës: Epitetin e padrejtë terrorist e ka thënë kolegia juaj, ju tash kinse po brengoseni për djemtë e Kumanovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Hisen Berisha ka pyetur kryeministrin Albin Kurti lidhur me çështjen e të burgosurve për rastin e Kumanovës, duke i thënë se çka është bërë që ata të mos cilësohen terrorist sepse në Kuvend ka pasur debate në këtë çështje.

Kryeministri Kurti i është përgjigjur duke thënë se këtë epitet e ka dhënë kolegia e tij.

“Epitetin e padrejtë terrorist e ka thënë kolegia juaj, ndërsa ju tash kinse po brengoseni për djemtë e Kumanovës që mbahen në burg atje. Populli ynë e ka një fjalë të urtë për këtë shprehje e sjellje tuajën por atë unë sot juve këtu s’po ua them”, është përgjigjur Kurti.

Berisha ka pyetur edhe se a janë angazhuar ai apo ministrja e Drejtësisë për të krijuar mundësinë që të burgosurit të mbajnë burgun në Kosovë.

Ndërsa Kurti lidhur me këtë ka thënë se transferi bëhet me kërkesën e personit që është në vuajtje të dënimit dhe deri më tani, nuk kanë pasur kërkesë të tillë.

“Transferi i tyre bëhet individualisht jo në grup. Transferi bëhet me kërkesën e personit që është në vuajtje të dënimit dhe deri më tani nuk jemi njoftuar që është bërë zyrtarisht një kërkesë e tillë. Nëse një shtetas i Kosovës i ka shprehur interes palës dënuese, pra Maqedonisë, për t’u transferuar në Kosovë, kjo palë e njofton palën zbatuese, pra Republikën e Kosovës, posa vendimi të ketë marr formën e prerë. Rasti i Kumanovës aktualisht është në gjykatën supreme pra ende nuk ka përfunduar. Ministri dhe zëvendësministri i drejtësisë i Maqedonisë së Veriut kanë qenë në vizitë zyrtare në Kosovë para 4 muajve e po ashtu në të ardhmen e afërt do të ketë edhe një vizitë në kahjen e kundërt. Në takime që kemi pasur e kemi ngritur edhe këtë çështje”, ka thënë Kurti.