Kurti: Guri Nënës Pashke, lokali ‘Panda’ në Pejë e disa tjera në listën e trashëgimisë kulturore

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë të ditur se 23 objekte përfshirë “Gurin e Nënës Pashke” e cila dogji veten pasi iu kthyen eshtrat e djemve të vrarë gjatë luftës si dhe lokali ‘Panda’ në Pejë ku shërbimi sekret serb kishte vrarë disa të rinj serb, janë bërë pjesë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.

“Guri i Nënës Pashke, Spitali ushtarak i Gradicës, Përmendorja e Minatorëve, lokali “Panda” në Pejë, Xhamia e Sfircës, Varri i Don Mikel Tarabulluzit, afreskat romake të Dresnikut, pasurojnë listën e trashëgimisë kulturore”- ka njoftuar kryeministri Kurti në Facebookun e tij.

Sipas Kurtit, kujtimi për vetëflijimin e Nënës Pashke dhe guri që simbolizon aktin e saj do të jenë në përkujdesje shtetërore.

“Përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore, në kategorinë “shpirtërore” ishte hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes përfundimtare për Gurin përkujtimor të Nënës Pashke. Më të mirin rrëfim për Pashke Krasniqi Markaj deri sot e ka bërë shkrimtari ynë Ag Apolloni në dokuromanin e tij “Një fije shprese, një fije shkrepëse.” – shkroi ai.

Kryeministri tutje theksoi se Doktor Lec Gradica nuk u ndalë së ushtruari profesionin e tij deri në momentin që ra dëshmor për lirinë e Kosovës.

“Oda e familjes së tij në Gradicë të Drenasit ishte shndërruar në spital ushtarak të zonës ku ai i shëronte ushtarët e plagosur të UÇK-së. Kjo shtëpi tash e tutje do të mbrohet me ligjet e shtetit për t’u shndërruar në pikë reference dhe nderimi për doktor Lecin dhe mjekët e tjerë dëshmorë të Kosovës”- shtoi tutje Kurti.

Në mbrojtje shtetërore është marr edhe Përmendorja e Minatorëve në komunën veriore të Mitrovicës, e ndërtuar më 1973 dhe që për autor ka disidentin serb, njërin ndër kundërshtarët më të guximshëm të Millosheviqit, arkitektin Bogdan Bogdanoviq.

Qeveria ka marr vendim që kësaj liste t’ia shtoj edhe lokalin ‘Panda’ në Pejë ku shërbimi sekret serb vrau disa të rinj serbë për të fajësuar UÇK-në.

“Më 14 dhjetor 1998 në lokalin “Panda” në Pejë, shërbimet serbe ekzekutuan gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin që po ngjante në Kosovë. Përveç si kujtesë historike, mbrojtja me ligj të shtetit e këtij lokali vjen edhe si alarm dhe thirrje për vigjilencë karshi mendësisë së pandryshuar politike të Serbisë në raport me shqiptarët dhe Kosovën”- bëri të ditur Kurti.

Derisa, Xhamia e Sfircës, e ndërtuar në vitin 1890, është objekti më i vjetër në komunën e Kamenicës.

“Ky simbol i identitetit kulturor e fetar, konsiderohet si një prej monumenteve më të rëndësishme të kësaj ane”.

Tutje, sipas Kurtit, Don Mikel Tarabulluzi ka qenë mësuesi i parë shqiptar në Kosovë.

“Në një ambient ku jetonin shqiptarë dhe kroatë, ai hapi shkollën e parë shqipe dhe shërbeu edhe si prift edhe si mësues”- shtoi ai.

Kësaj liste i janë shtuar edhe afreska të periudhës romake të gjetura në Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut në Klinë, shtëpi tradicionale e kulla shqiptare që i kanë rezistuar shekujve, mullinj, shkolla, kisha, janë pjesë e listës së fundit të aseteve që morën statusin e mbrojtjes ligjore.