Kurti dhe kryeministri kroat takohen në Kosovë, flasin edhe për dialogun Kosovë–Serbi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në vizitë zyrtare kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Kurti në një konferencë për medie, ka thënë se janë të përkushtuar t’i bashkohen NATO-s dhe BE-së, prandaj sipas Kurtit, Kroacia shërben si shembull dhe model i shkëlqyer.

“Duhet të bëjmë progres drejt integrimit evropian dhe për këtë në presim mbështetjen e Kroacisë në këtë drejtim. Ne e mirëpresim tregun e përbashkët rajonal në kuadër të procesit të Berlinit dhe me pjesëmarrje të Bashkimit Evropian, dhe kemi propozuar që të përmirësojmë atë duke futur mekanizma të ri të pavarur si autoriteti mbikëqyrës dhe një gjykatë me një marrëveshje të re tregtare të quajtur sefta”, tha Kurti.

Sipas Kurtit gjatë takimit është diskutuar edhe për krijimin e urave sa më të mira mes dy popujve tanë.

Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, u shpreh i gatshëm ta ndihmojnë Kosovën në gjitha përpjekjet diplomatike.

“Kroacia është anëtare më e re në Unionin Evropian e cila e ka memorien e freskët dhe sa i përket transformimit do t’u ndihmojmë”, tha ai.

Plenkoviq, tha se shpresojnë se do të vazhdohet dialogu i Kosovës me Serbinë dhe që këto marrëdhënie do të vijnë në fazën që do të normalizohen.

Kurse, kryeministri Kurti njoftoi se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, do të udhëtoj sot pasdite në Bruksel ku do të takohet në Bruksel me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ku do të vazhdojnë biseidmet.

Kurti tha se janë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë e cila në qendër e ka njohën reciproke Kosovë serbi.

Kurti tha se janë të gatshëm të dialogojnë menjëherë për çështjen e të pagjeturve e të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë.