Kurti dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj të komunitetit serb

Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur të neveritshme kërcënimet ndaj qytetarëve serbë të veriut të Kosovës të cilët kanë diplomuar së fundmi në Policinë e Kosovës dhe kanë nisur punën në stacionet policore.

Sipas Kurtit, përpjekjet e dhunshme të Serbisë për të penguar integrimin e serbëve etnikë në institucionet e Kosovës duhet të ndalen.

“Dënoj kërcënimet e neveritshme ndaj zyrtarëve të rinj të Policisë së Kosovës nga komunitetet joshumicë. Përpjekjet e dhunshme të Serbisë për të penguar integrimin e serbëve etnikë në institucionet e Kosovës duhet të ndalen tani. Të gjithë qytetarët e Republikës sonë kanë të drejtë t’i shërbejnë vendit të tyre pa hakmarrje”- ka shkruar Kurti në Twitter.

 

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme se si në faqe të ndryshme në rrjetin social Telegram, faqe të ndryshme serbe kishin shënjestruar qytetarët serbë nga veriu i Kosovës të cilët së fundmi diplomuan si policë të rinj dhe kanë nisur punën e tyre në institucionin e sigurisë – Policinë e Kosovës.

“Kuptohet që lista nuk është e plotë, e a do ta publikojmë që i tërë opinioni ta kuptojë kush janë të tjerët do të merremi vesh me popullin nga Kosova…”-  është një pjesë e cila është shkruar nga një faqe serbe në Telegram e që i referohet një liste prej pesë personave me emra dhe fotografi që së fundmi kanë diplomuar në Policinë e Kosovës dhe kanë nisur punën në këtë institucion.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka reaguar pas raportimeve nga media të ndryshme përfshirë edhe nga KALLXO.com në lidhje më këtë çështje.

“Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës” – ka shkruar Hovenier në Twitter.

Giovanni Pietro Barbano, shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, kanë reaguar pas raportimeve se janë kërcënuar zyrtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb.

Çdo lloj frikësimi, sipas shefit të EULEX-it, ndaj policëve të sapopunësuar në Policinë kosovare, është i papranueshëm.

Faqet serbe i vendosin si shënjestër qytetarët e komunitetit serb që diplomuan dhe nisën punën në Policinë e Kosovës