Kurti bën homazhe në përvjetorin e 22-të të sulmeve të 11 Shtatorit në SHBA
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz dhe zëvendës ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Alyson Grunder kujtuan viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA.
Ata kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Sipas njoftimit, Kurti ka thënë se sot kujtojnë viktimat e këtyre sulmeve dhe mësimin e mësuar nga kjo ngjarje me jehonë pikëprerëse në histori.
Nga sulmet e asaj dite vdiqën gjithsej 2977 persona, mes të cilëve edhe tre shqiptarë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj.
Atë kohë, administrata amerikane e Presidentit George W. Bush, ishte zotuar që terrorizmi kurrë nuk do të ngadhënjejë.
Më shumë se dy dekada prej atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë t’i prijnë luftës globale kundër terrorizmit, kurse shumë vende mes të cilave edhe Republika e Kosovës, është rreshtuar në këtë luftë të përbashkët.